Ambasada e Rusisë në vendin tonë ka nxjerrë dje zbuluar ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa i ka kujtuar pazarin e shtrenjtë që as Gazpromi nuk e paguante dot. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ambasada ruse ka treguara dje sa i takon deklaratës së bërë dy ditë më parë nga Sali Berishës në Parlament se nuk ka pranuar të marrë ryshfet nga kompania e gazit rus. Vetë ambasada në formë ironie shkruan se është e habitur nga kjo deklaratë ndërsa thumbon Berishën duke i thënë se shuma e kërkuar nga ai duhet të ishte përrallore që nuk ka mundur dot as Gazpromi që ta mbulojë, një nga kompanitë më të mëdha ruse të gazit, duke ditur se fitimet e kompanisë ruse të naftës janë në miliarda dollarë në ditë. “U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi ryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”?”, shkruan ambasada ruse në postimin e saj në rrjetin social, për të thumbuar Berishën pas deklaratave të tij, ditën e enjte në seancën e Parlamentit.

Berisha: Refuzova ofertën në të mirë të  Shqipërisë

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka reaguar pas akuzave të ambasadës ruse në Tiranë, lidhur me deklaratat e një dite më parë se Gazprom i kishte bërë ofertë korruptive për të sabotuar ndërtimin e TAP.  Berisha i quan akuzat e ambasadës ruse provokative të stilit sovjetik të përfaqësuesve të diktatorit Putin dhe tregon ofertën që i ka bërë kompania ruse e energjetikës, Gazprom, për një projekt gazsjellësi që anashkalonte Shqipërinë.  “Lidhur me deklaratën time të djeshme për përpjekjet korruptive të Gazpromit pranë meje për të sabotuar TAP, ambasada ruse në Tiranë ka reaguar sot duke pyetur: Sa lekë kërkoi zoti Berisha që Gazpromi nuk i mblodhi dot? Lidhur me këtë reagim, tipik provokativ te stilit sovjetik te përfaqësuesve të diktatorit Putin, sqaroj publikun sa vijon! 1-Gazprom dhe qeveria ruse bënë çfarë kishin në dorë dhe përdoren të gjitha linjat korruptive të gazit të tyre për të bllokuar projektin e TAP. 2- Ne javën e parë të gushtit te vitit 2011 një mik i imi biznesmen i njohur turk me solli nga presidenti i Gazprom mesazhin qe vijon:  “në rast se unë do te hiqja dore nga projekti i TAP-it dhe te mbështesja projektin ITGI, i cili anashkalonte Shqipërinë dhe kalonte ne trajektoren Turqi- Greqi-Itali dhe që furnizohej kryesisht me gaz rus por dhe azer pala ruse ofronte: -ndërtimin e një gazsjellësi Igumenicë-Vlorë me mundësi shtrirje edhe deri ne Shkodër. -Investimin prej 4.1 miliardë dollarë në termocentrale të mëdha gazi në Seman. -Këto do vendoseshin në një takim qe do zhvillohej midis meje dhe presidentit të Gazpromit”, shkruan Berisha. Më tej ish-kryeministri shton se ai e refuzoi preras ofertën e gjigantëve rusë të gazit për qëllime politike, dhe koha i dha të drejtë vendimit të tij. Ai thekson se rusët bënë gjithçka që TAP mos funksiononte, por dështuan. “Oferta u refuzua preras për arsye politike nga ana ime. Nuk pranova investimet e Gazprom se besoja, dhe koha më dha të drejtë, se ato nuk ishin ne interes të vendit tim. Ju bëtë gjithçka që TAP te mos bëhej dhe dështuat! Sb”, shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në përgjigjen e dhënë pas reagimit me ironi të Ambasadës së Rusisë në vendin tonë.