Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian votoi sot progres-raportin për Shqipërinë ku nga njëra anë bëhet thirrje që të çelen negociatat dhe në anën tjetër kërkojet që qeveria të plotësojë një seri kushtesh të përsëritura.

Raporti u votua me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime. Ai ishte hartuar nga Isabel Santos dhe në të bëhet vlerësimi i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë në përpjekjet për integrimin europian gjatë vitit 2021.

Në raport thuhet se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reformat e qëndrueshme dhe të pakthyeshme në fushat kryesore të vëna si kushte prej vitesh nga Brukseli.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Shqipërisë të intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar funksionimin e gjyqësorit, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë.

Vendi duhet gjithashtu të fuqizojë shoqërinë civile, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.

Nga ana tjetër, eurodeputetët vlerësojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në dëshirën për integrimin europian përmes aspiratën për anëtarësim në BE.

Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të vonuara të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar solidaritetin dhe simpatinë e plotë me qytetarët e këtyre vendeve.

Ky dështim, sipas tyre, minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe përbën një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi.