Java e çmimit të madh “made in Italy” në Emilia Romagna nisi në mënyrën më të keqe për Charles Leclerc. Piloti i “kokëkuqes” në fakt ishte ‘viktimë’ e një grabitjeje mbrëmjen e së hënës së Pashkëve, teksa ndodhej në Viareggio në shoqërinë e trajnerit të tij atletik Andrea Ferrari, i cili më pas raportoi ngjarjen e pazakontë me një postim në rrjetet sociale.

Ai konfirmoi se Leclerc i vodhën Rolex-in shumë të shtrenjtë, që e mbante në kyçin e dorës. Karabinierët mbërritën menjëherë të alarmuar dhe po hetojnë rastin. Lideri i klasifikimit të Formula 1, me një diferencë komode ndaj rivalëve të tij më të afërt, i lejoi vetes disa momente të lira ndërsa priste raundin e katërt të Kampionatit Botëror në Imola.

Një periudhë e shkurtër relaksi që përfundoi në mënyrën më të keqe. Monegaskut, në fakt iu grabit ora kur ndodhej në lagjen “Darsena”, në Viareggio. Grabitja ndodhi ndërsa Leclerc ishte në një rrugë me ndriçim të dobët, bashkë me trajnerin e tij atletik.

Dyshohet se të dyve iu afrua një burrë i cili, duke u paraqitur si fans, ia rrëmbeu me dhunë Rolex-in pilotit të “Ferrari”. Karabinierët e Viareggio po hetojnë ngjarjen në sekretin më të rreptë. Vlera e orës së vjedhur është jashtëzakonisht e lartë, në qindra-mijëra euro.

Ngjarja është bërë publike nga vetë Andrea Ferrari, i cili me një postim në Instagram drejtuar bashkisë së Viareggio ka kritikuar ndriçimin e dobët të rrugës ku ndodhi grabitja.

“Via Salvatori ka muaj që është krejtësisht në errësirë. Dhe ne e raportojmë këtë fakt prej muajsh. Epo mbrëmë na kanë grabitur në këtë rrugë. Po mendoj t’i rregulloj llambat e rrugës, herët a vonë… Kërkoj një mik”, – ka shkruar trajneri atletik i pilotit, i cili tashmë së bashku me Leclerc do të përpiqen ta lënë pas këtë fatkeqësi dhe të përqendrohen në fundjavën e “Imola GP”.