Tiranë- Aksidentoi me vdekje një të moshuar, arrestohet nga policia dhe del pozitiv për drogë.

Pas marrjes së njoftimit për aksidentin me vdekje të Z.K 73 vjeç në rrugën “Asim Vokshi”, policia është vënë në ndjekje të autorit që u zhduk nga vendi i ngjarjes.

Megjithatë u bë e mundur identifikimi dhe kapja e tij.

Në pranga është vënë E. N., 45 vjeç, banues në Tiranë i cili është testuar me drager dhe me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj tij, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 35.000 lekë të rinj.