Kosova ka siguruar lirinë me shumë gjak, por duket se nuk është çmilitarizuar ende. Këtë e ka treguar zbulimi më i fundit i shumë minave të groposura, që duket se datojnë nga Lufta e Dytë Botërore.

Ka qenë ministri i mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ai që ka zbuluar municionet e pashpërthyera, të identifikuara dhe evakuar nga vendi ku ndodheshin nga forcat e sigurisë:

“Heronjtë tanë vazhdojnë misionin e shenjtë për Kosovën, çdo ditë e më të sigurt nga mjetet e pashpërthyera.

Specialistët tanë të deminimit janë duke kryer operacionet e pastrimit në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku kanë hasur në një sasi të madhe të municioneve eksplozive të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Rreth 1600 copë municioneve të gjetura që përfshijnë predha të mortajës dhe artilerisë, të mbetura kryesisht nga Lufta e Dytë Botërore, nuk do të paraqesin më rrezik për qytetarët tanë.

Kompania e Deminimit do të vazhdojë me përkushtim të lartë deri në pastrimin e të gjitha fushave të rrezikshme me mina dhe municione eksplozive. Vazhdojmë drejt sukseseve të radhës!”