Ajo u bë e famshme përmes disa videove përmes Tik Tok-ut. U pezullua për disa kohë nga profesioni si gjyqtare, ndërsa sot është shkarkuar fare nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Fjala është për Enkeleda Kapedanin, gjyqtaren e Elbasanit.

Vendimi i shkarkimit të saj si magjistrate u dha ditën e sotme. Vetë Kapedani nuk ka qenë e pranishme në sallë, kur mori “mandatën” në unanimitet të plotë nga anëtarët e vettingut. Të gjithëve iu kujtohen videot e saj, që bënë xhiron e rrjeteve sociale.

Enkeleda Kapedani publikoi disa video në Tik Tok, ku shfaqej duke sfiluar brenda zyrës së saj. Më pas ajo tha se ishte shumë e stresuar, ndaj bënte të tilla veprime. Justifikim që nuk piu ujë, edhe pse gjyqtarja e Elbasanit në atë kohë asokohe pranoi shkeljen disiplinore, bëri “mea culpa” për veprimet e saj brenda institucionit të gjykatës.

Fillimisht, ILD e pezulloi nga detyra për 6 muaj, ndërsa sot është nxjerrë nga radhët e drejtsisë shqiptare. Natyrisht, vendimi duhet konsiderua përfundimtar nëse e lë në fuqi edhe KPA, po qe se Kapedani ankimon atje.

Kjo gjyqtare ishte shpallur “Miss Shqipëria” në vitin 2003, kishte përfunduar edhe Shkollën e Magjistraturës, profili gjyqtar. Përgjatë këtyre viteve, emri i Kapedanit bëri bujë në media kur firmosi lirimin me kusht të Viktor Imerit, e bandës së Gaxhait, por asokohe nuk pati reagime të forta institucionale.