Mbi 33 mijë maturantë në vendin tonë do t’i nënshtrohen provimit të parë të maturës shtetërore këtë të enjte, atij të gjuhës së huaj.

Testi nis në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e gjysmë. Drejtues të ministrisë së Arsimit kanë siguruar se nuk do të ketë pyetje jashtë programit mësimor.

Teza e provimit  përmban pyetje me alternativë dhe me zhvillim, të gjitha të shkallëzuara sipas niveleve të nxënësve.

60 janë pikët maksimale për dhjetën absolute, ndërsa që maturanti të jetë kalues duhet të zgjidhë 25% të pyetjeve.

Përpara se të hyjnë në provim, nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete, si dhe mjetet shkollore të nevojshme

Për mbarëvajtjen e provimit, janë angazhuar 7 mijë mësues administrues, jo të shkollave të mesme, si dhe janë vënë në dispozicion në të gjithë Shqipërinë,  167 qendra testimi, ku 31 janë vetëm në kryeqytet.

Pas testit të gjuhës së huaj, më 11 qershor është provimi i gjuhës shqipe, më 17 qershor lënda e matematikës dhe më 24 qershor provimi me zgjedhje.