Policia Rrugore ka arrestuar tre persona gjatë mbrëmjes së të shtunës, të cilët po ngisnin makinën nën efektin e lëndëve narkotike. Sipas Policisë, u arrestuan shtetasit Erjon Buzali, Erjon Prendi, Enaldo Rreshka.

“Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, u evidentuan dhe u goditën edhe 3 raste të  tjera të drejtimit të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike, duke e çuar kështu në 24 numrin e drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan”, tha Policia.

Gjithashtu po gjatë fundjavës, u ndëshkuan edhe disa drejtues mjetesh për zhurma të nxjerra nga marmita dhe disa për gara shpejtësie.

Në total, janë ndëshkuar me gjoba 878 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 446 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. Për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi mbi normën e lejuar dhe shkelje të tjera të ndryshme, janë ndëshkuar 1388 drejtues mjetesh.

Janë pezulluar 69 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara. Janë vendosur 577 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve. Gjithashtu, janë hequr 5 palë targa të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit në shtetin e origjinës.