Pas përmbylljes së fazës së testimeve, Ministria e Arsimit ka bërë publike datat se kur maturanët e sapo-diplomuar mund të aplikojnë për t’u regjistruar në universitete.

Sipas urdhrit të publikuar në portalin universitar, “U-Albania”, faza e parë e aplikimeve nis më 29 korrik dhe mbyllet më 3 gusht. Raundi i dytë nis në 22 dhe zgjat deri në 24 shtator, ndërsa ajo e tretë në datat 19-21 tetor.

Paraprakisht maturantët duhet të paguajnë një tarifë në vlerën e 2 mijë lekëve në degët e Postës Shqiptare apo në banka të nivelit të dytë e më pas regjistrojnë 10 degët e tyre të preferuara në portalin U-Albania.

Rreth 33 mijë gjimnazistë iu nënshtruan provimeve të pjekurisë në gjuhën e huaj më 9 qershor, atë shqipe më 11 qershor, matematikë 17 qershor dhe lëndët me zgjedhje më 24 qershor. Këtë vit akademik maturantët që do të zgjedhin një nga 35 degët e shpallura prioritet, si Gjuhë-letërsi, Matematikë, Fizikë, Veterinari do përjashtohen nga tarifa e shkollimit dhe stimulohen me bursë.