Cristiano Ronaldo mendon kalimin te Barcelona. Një lajm i bujshëm dhe që i ka surprizuar të gjithë, u përhap shpejt mbrëmjen e së hënës pas një postimi të prestigjiozes “AS”.

Sipas tyre, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, po darkonte me menaxherin Zhorzh Mendes dhe siç bëhet me dije një nga temat e diskutimit ishte padyshim edhe Cristiano Ronaldo.

Sulmuesi portugez e ka kërkuar vetë largimin nga Manchester United vetëm për të luajtur në Champions League, por a do të jetë Barcelona skuadra e tij e radhës, vështirë të besohet. Largimin e Portugezit nga Anglia e ka konfirmuar dhe më shumë mungesa e tij në seancën e parë stërvitore aq më tepër që në krye të skuadrës ishte dhe tekniku i ri.

Erik Ten Hag nisi këtë të hënë aventurën e tij në krye të Manchetser United. Trajneri i ri ka ardhur me një tjetër strategji krahasuar me paraardhësin e tij. Së pari, holandezi dëshiron t’i shohë lojtarët e tij duke luajtur futboll progresiv, duke i nxitur ata të kalojnë përpara kur janë në zotërimin e topit.

Ten Hag ka kërkuar gjithashtu që skuadra e United të përmirësojë gjuhën negative të trupit dhe gjestet kundrejt lojtarëve nuk do të lejohen.

Gjithashtu, një pikë kryesore është që Ten Hag do t’i japë përparësi akademisë, pasi për të e ardhmja qëndron pikërisht te lojtarët e rinj. Sa për mungesën e Ronaldos , Ten Hag nuk preferoi të  mbante një qëndrim duke theksuar se askush nuk do të rri në skuadër me zor. Që Ronaldo e ka marrë vendimin për t’u larguar kjo dihet, por për të ardhmen e tij duhet të presim dhe pak.