Pamjet e hapësirës kozmike të shpërndara ditën e djeshme nga NASA mahnitën botën, duke u shndërruar në lajm kryesor në të gjitha mediat botërore. Kurrë më parë kishin arritur pamje me një definicion kaq të lartë të galaktikave të ndryshme, që e bënin pothuajse më të prekshme dimensionet e universit.

Por pamjet e teleskopit James Webb, më i fuqishmi në histori dhe me vlerë rreth 10 miliardë dollarë, nuk kanë treguar ende zona të panjohura të hapësirës, madje ato janë filmuar ekzaktësisht edhe nga teleskopi Hubble, paraardhësi i Webb i cili u projektua dhe ndërtua në vitet ‘70 por që për defekte dhe mungesë fondesh u hodh në hapësirë vetëm në 1990, ndërkohë që ende vijon punën.  

Diferenca midis dy teleskopëve qëndron tek qasja e ndryshme e tyre. Ndërkohë që Hubble përqendrohet në pjesën optike, James Webb përqendrohet te rrezet infra të kuqe, të padukshme në sytë tonë por që i shtojnë objekteve të pikasura nga Hubble edhe disa të tjera, deri në galaktikat më të largëta.

Si rezultat, pamjet e teleskopit Webb janë të paktën 2 ose 3 herë më të qarta sesa ato të Hubble.