Përplasja brenda forcave politike që përbëjnë mazhorancën në Itali ka arritur sot kulmin, me pasojën më të paparashikuar deri një javë më parë.

Kryeministri Mario Draghi deklaroi se sonte do t’i dorëzojë presidentit të Republikës Sergio Mattarella dorëheqjen e tij, pasi bisedoi me të më shumë se një orë.  

Vendimi vjen pas përplasjeve me partinë 5 Yje të ish-kryeministrit Giuseppe Conte, që kritikon për mungesën e reformave por edhe për qasjen ndaj luftës në Ukrainë.

Edhe pse Senati i dha votëbesimin e tij kryeministrit mbi disa çështje, me 172 vota dhe vetëm 39 kundra, e gjithë partia 5Yje, që ka ende shumicën e parlamentarëve edhe pse ndodhet në një moment kritik, nuk preferoi të votonte.  

Vendimi është në fakt një sfidë e kryeministrit ndaj një shumice që e ka mbështetur në fillim, por që tani duket gjithmonë e më e ndarë, e përberë nga parti me ideologji dhe qasje të ndryshme, veçanërisht për ekonominë, sigurinë e brendshme dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian.

Vendimi i Draghit, po u pranua nga presidenti Mattarella, mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por dinamikat parlamentare disi të ndërlikuara në atë vend  bën të mendohet për zgjedhjen e një tjetër kryeministri, pa eliminuar totalisht edhe mundësinë e një mandati të ri të Draghit.

Draghi ishte lider i një koalicioni të madh që përfshinte praktikisht të gjitha partitë e mëdha, nga e majta e Partisë Demokratike, populistët e 5 Yjeve e deri tek qendra e djathtë e Forza Italia dhe të djathtët e Lega.

E vetmja parti e madhe që nuk është në qeveri është ajo e djathtë e Fratelli d’Italia, liderja e të cilës Giorgia Meloni kërkon zgjedhje të parakohshme, e nxitur edhe nga sondazhet që e cilësojnë si partinë e parë të vendit.