Home Office – Ministria e Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi se këtë javë ka deportuar 26 shtetas shqiptarë nga vendi, mes të cilëve kishte persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët në total kishin marrë mbi 88 vite burg si dënim për veprat e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të 26 personat janë nisur me avion drejt Shqipërisë.

Tre prej të deportuarve ishin futur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa mes tyre ishte edhe një person i dënuar me 20 vite burg për trafik të lëndëve narkotike. Një tjetër ishte i dënuar me 4 vite burg për pengmarrje, ndërsa një person tjetër ishte i dënuar me 5 vite burg për përdorimin e një arme pa leje.

Ministrja e Brendshme, Priti Patel tha: “Këta kriminelë janë përgjegjës për vepra të tmerrshme penale, që shkatërrojnë jetët e familjeve dhe komuniteteve tona. Ata kanë shkelur ligjet tona dhe publiku britanik nuk duhet të ketë dyshime se ne nuk do t’i lejojmë që të qëndrojnë në vendin tonë”.

Që prej marsit të vitit 2021, Mbretëria e Bashkuar ka deportuar më shumë se 10 mijë persona me precedentë penalë, në 13 vende të ndryshme.