Real Madrid ka fituar ndaj Juventusit me rezultatin e pastër 2-0, në miqësoren e zhvilluar në orët e para të së dielës, në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

90 mijë tifozët në shkallët e “Rose Boël Stadium”, në Pasadena të Kalifornisë, panë se si lojtarët e drejtuar nga Carlo Ancelotti bënë diferencën me lojë dhe rezultat, përballë një kundërshtari që kishte hedhur në fushë nga minuta e parë përforcimet e mëdha të verës: Di Maria dhe Bremer.

Sfida u zhbllokua në minutën e 19’, nga Karim Benzema, i cili ekzekutoi saktë një penallti, duke mposhtur Mattia Perin.

Në pjesën e dytë Reali ia doli të shënojë edhe një gol tjetër me anë të Marcos Asensio, pas një aksioni mjaft të bukur.