Vlera e euros zbriti nën atë të dollarit amerikan, për të regjistruar nivelin më të ulët të dy dekadave. Kriza e çmimeve po e zhvlerëson valutën europiane me një ritëm shumë të shpejtë dhe analistët e tregut i druhen një rënieje më të fortë në vazhdim.

Në tregun tonë të këmbimit, Banka e Shqipërisë e regjistron euron në kuotën e 117 lekëve, ndërsa dollari kap nivelin e 117.86 lekëve. Nga fillimi i vitit, rënia ka qenë relativisht e fortë për euron krahasuar edhe me lekun, teksa dollari nga ana tjetër ka arritur të fitojë plot 10 pikë.

Kreditë në dollar në vendin tonë janë vetëm 18 miliardë lekë, apo 154 milionë euro dhe zënë më pak se  2.7% të totalit të huasë. Kjo bën që risku nga rritja e dollarit të jetë i kufizuar në pak biznese. Nga ana tjetër, shtrenjtimi i dollarit është një prej faktorëve që po rrisin çmimin e karburanteve në vend, teksa çmimi referencë në bursë kuotohet pikërisht në valutën amerikane.

Presioni mbi euron do të jetë i lartë në këtë periudhë, kur çmimet e gazit dhe energjisë elektrike po rriten ndjeshëm. Frika për recesion në Bashkimin Europian, pritet gjithashtu të forcojë trendin e braktisjes së euros nga investitorët, në favor të dollarit.