Policia italiane raporton se ka arrestuar një çift shqiptarësh, të cilët po transportonin një sasi të madhe lënde narkotike të llojit kokainë.

Sipas të dhënave paraprake, droga e pastër u sekuestrua në territorin e Marina di Chieuti , në zonën e Foggiano, ndërsa policia kishte ngritur një postbllok për të goditur trafiqet e paligjshme.

Gjatë kontrolleve, efektivët vunë re një makinë me targa suedeze që sapo kishte ndaluar në një servis pranë San Severo. Dy personat që ndodheshin në bord, një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare dhe me pasaportë suedeze, të dy 35 vjeç, fillimisht vëzhguan me kujdes zonën, më pas gruaja doli nga makina për t’u kthyer pas pak minutash, ndërsa burri qëndroi brenda.

Efektivët dyshuan për sjelljen e tyre dhe vijuan me kontrollin. Në atë moment të dy shqiptarët filluan të shfaqnin shenja nervozizmi. Kështu, me mbështetjen e njësisë së qenve, u krye një kontroll i saktë i mjetit, ku u gjetën 26 kg kokainë në fundin e dyfishtë.

Droga e sekuestruar kishte foto të mafiozit famëkeq “Al Capone” dhe vlerësohet se nëse do të dilte në treg do të arrinte shifrën rekord të 5 milionë eurove.

Identiteti i shqiptarëve nuk bëhet me dije, ndërkohë që vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.