“Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se goditjet e ofertës dhe rritja e pasigurisë në tregjet botërore po transmetohen në rritje të inflacionit dhe ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike në vend”, deklaronte guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në 5 tetorin e kaluar.

E thënë më thjeshtë, gjetja e njoftuar nga Sejko do të thotë çmime më të shtrenjta për qytetarët e më pak para në arkën e shtetit. Ndaj në këto kushte sipas ekspertëve, lipset nevoja për reforma.

Veç prodhimit, sipas ekspertëve masat nxitëse dhe përkrahëse nga qeveria duhet të shtrihen edhe në drejtim të sektorëve të tjerë parësorë.

“Kam parasysh produktet agro-bujqësore, që edhe pse kanë një rritje të prodhimit, nuk kanë rritje të përpunimit, pastaj kemi sektorin e turizmit, që duhet të ishte më i stimuluar, me mendimin që është një industri i veçantë”, thotë për A2 CNN eksperti Eduart Gjokutaj.

Nevojën për të nxitur aktivitetin në sektorë të caktuar e diktuan më herët edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim.