Presidenti Bajram Begaj ka thërritur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar mbi sulmet kibernetike në drejtim të vendit tonë, kur gjatë muajt korrik, por edhe më pas, u bllokuan sisteme të ndryshme, si portali qeveritar e-Albania, apo sistemi TIMS në pikat kufitare.

Për këto sulme, vendi ynë ka akuzuar zyrtarisht Republikën Islamike të Iranit, duke ndërprerë plotësisht marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.

Në tryezë do të duhet të ulen, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Mësohet se Peleshi dhe Manja janë përfaqësuar nga zëvendësit e tyre, ndërsa kryeministri Rama është i pranishëm në Presidencë. Gjithashtu, e pranishme është edhe Mirlinda Karçanaj, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit. Deri në këto momente, nuk ka asnjë konfirmim që Begaj të ketë ftuar përfaqësues të opozitës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare është një organ këshillues që ndihmon presidentin e Republikës në zbatimin e kompetencave dhe detyrave të tij kushtetuese. Mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura, nga të cilat nuk dilet me vendime.

Për zmbrapsjen e sulmeve kibernetike, vendi ynë u ndihmua edhe nga ekspertë të Microsoft dhe NATO-s. Qeveria deklaroi se synimi i hakerave ishte shkatërrimi total i sistemeve digjitale shqiptare, qëllim që nuk u arrit. Gjatë javëve që pasuan sulmet, përmes një llogaria në platformën komunikuese Telegram, hakerat kanë publikuar dokumente sensitive, si e-mailet e ish-drejtorit të policisë, Gledis Nano, apo një listë të pretenduar me të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit.