Policia e Lezhës ka arrestuar një person, të akuzuar për një vrasje të kryer 7 vite më parë, ku viktimë ishte një i mitur. Zbardhja e ngjarjes është bërë pasi policia ka zbuluar eshtrat e viktimës, të identifikuar si Mariglen Gjonaj, 16 vjeçar në kohën kur është kryer krimi.

I mituri ishte denoncuar si i zhdukur nga familja në vitin 2015. Policia tha se më 3 prill të këtij viti janë gjetur pranë hidrovorit në fshatin Fushëkuqe të Kurbinit eshtrat që pas analizave rezultuan se ishin të të miturit.

Pas rifillimit të hetimeve, u bë e mundur edhe identifikimi i autorit të ngjarjes, Kristian Cenaj, 30 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Kurbin. I cili u arrestua një ditë më parë. Sipas autoriteteve, Cenaj e ka vrarë adoleshentin për t’i marrë orën e markës Rolex, varësen floririt dhe se nde të tjera ai ka pasur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.

Më datë 19.05.2015, ka rezultuar se në Komisariatin e Policisë Kurbin, ka bërë kallëzim shtetasi F. Gj., se nipi i tij, shtetasi Mariglen Gjonaj, i vitlindjes 1999, banues në fshatin Ferrë Trashë, Kurbin, ishte zhdukur dhe kishin humbur çdo kontakt me të.

Lidhur me këtë kallëzim, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka regjistruar procedimin për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja e peng e personit” dhe më pas ia ka transferuar dosjen hetimore Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë, bazuar në kompetencën lëndore, për shkak se në momentin e ngjarjes, shtetasi Mariglen Gjonaj ishte i mitur (16 vjeç).

Pas hetimit 2-vjeçar nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda është vendosur pezullimi i hetimeve, pasi nuk ishte bërë i mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale dhe dosja hetimore e pezulluar i ka kaluar strukturave të specializuara të hetimit të DVP Lezhë, për veprime të mëtejshme për zbulim autori.

Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar së më datë 03.04.2022, në vendin e quajtur “Shëllinx”, në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Adriatik, Njësia Administrative Fushë Kuqe, Kurbin, u gjetën eshtra dhe mbetje kockore humane, të cilat pas ekspertimit biologjik, rezultoi se i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mareglen Gjonaj.

Pas rifillimit të hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, strukturat e hetimit të DVP Lezhë, duke angazhuar ekspertët më të mirë, si dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit, nëpërmjet kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, marrjes së dëshmive, ballafaqimeve, si dhe analizës së tabulateve dhe qelizave telefonike, në interes të këtij hetimi, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasit Kristjan Cenaj, 30 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Ferrë Trashë, Kurbin.

Në këto rrethana, më datë 10.10.2022 është bërë ndalimi i shtetasit Kristian Cenaj, i datëlindjes 10.12.1992, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.

Ndalimi tij është bërë pasi më datë 18.05.2015, shtetasi në fjalë dyshohet se ka vrarë të miturin 16-vjeçar Mariglen Gjonaj, për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markës Rolex dhe varëse floriri etj., që i mituri i ka pasur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.