Kryeministri Edi Rama e quajti lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë si ato mes shpirtit dhe trupit, në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës në Strasburg të Francës.

“Përfaqësoj Shqipërinë, por nuk kam ardhur të flas vetëm për Shqipërinë, edhe pse tema lidhet me Shqipërinë si shpirti me trupin. Kjo ka lidhje me çështjen e marrëdhënies së një vendi me të shkuarën e vet dhe ndikimin që kjo mund të ketë në zhvillimin e tij në të ardhmen. Ta kthesh një histori konflikti në histori bashkëpunimi, kërkon jo vetëm guxim, vullnet të mirë dhe besim mes shteteve, por edhe guxim të bashkëndarë të institucioneve ndërkombëtare. Nëse këto institucione dështojnë të japin drejtësi, dëmi është i madh, një goditje ndaj të gjitha përpjekjeve tona për të kthyer një faqe të errët të historisë sonë, për të shkruar një faqe tjetër”, tha Rama në fjalën e tij.

Në këtë fjalim, Rama pritet që Rama t’i kërkojë përfaqësuesve europianë mbështetje për ngritjen e një raporti që hedh poshtë akuzat e Dick Marty mbi krimet e luftës në Kosovë, edhe ndaj liderëve të UÇK-së.