Komisioni që heton sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar të vitit të kaluar, votoi unanimisht të enjten për të thirrur ish-Presidentin Donald Trump që të dëshmojë për rolin e tij në inkurajimin e dhunës dhe përpjekjet disa javore për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Nënkryetarja e komisionit, Ligjvënësja Liz Cheney nga Uajoming, tha se komisioni “duhet të ketë dëshminë e lojtarit kryesor të 6janarit”, pasi ndihmës të shumtë të ish-Presidentit Trump refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve.

Të nëntë anëtarët e komisionit votuan në favor të dërgimit të fletëthirrjes për ish presidentin Trump, duke kërkuar dëshminë e tij dhe dokumentet që mund të disponojë mbi përpjekjet për të qëndruar në pushtet, edhe pas shpalljes së fitores së Biden.

Mbetet pikëpyetje nëse zoti Trump, një ish-president republikan, do të bashkëpunojë me komisionin e dominuar nga demokratët, apo nëse do të përpiqet ta bllokojë thirrjen për paraqitje. Zëdhënësi i tij, Taylor Budowich, tha se ish-presidenti nuk do të intimidohej nga “retorika e pavlerë apo veprimi jo-amerikan” i votimit për ta thërritur atë.

Nëpërmjet një mesazhi në Twutter, zëdhënësi gjithashtu i quajti anëtarët e komisionit “të hidhur, të etur për pushtet & të dëshpëruar”. Ajo e së enjtes ishte seanca e fundit e komisionit qe po heton ngjarjet e 6 janarit, deri në zgjedhjet e mesit të mandatit në muajin nëntor. Gjatë seancës së transmetuar live, u shfaqën pamje të papublikuara më herët të momenteve tmerruese kur protestuesit mësynë godinën e Kapitolit.