Shqipëria ka përfunduar në qendër të vëmendjes së televizionit publik të Rusisë, (Rosia Një) “Rossiya 1”. Shkak për këtë është bërë miratimi i rezolutës së kërkuar nga vendi ynë në Kombet e Bashkuara, që votimi i fundit mbi integritetin territorial të Ukrainës të mos ishte i fshehtë, siç kërkonte delegacioni i Moskës. Kjo irritoi tej mase prezantuesin, Vladimir Solovyov, i cili konsiderohet si njeriu më i besuar i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ekziston një shtet i quajtur Shqipëri, i cili u tregua i vrazhdë duke mos lejuar Rusinë, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, as të shprehte këndvështrimin e saj. Ne sërish e mbajtëm gojën mbyllur. Ku janë sanksionet ndaj atij shteti të quajtur Shqipëri?”, tha prezantuesi Vladimir Solovyov.

Ai vijoi më tej duke ironizuar dhe tha se Shqipëria po sillet si një qytet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Nju Jork, Albany. Kjo deklaratë e prezantuesit më të njohur të Rusisë është shpërndarë e përkthyer nga reporteri i medias prestigjoze britnike, BBC, Francis Scarr, i cili është angazhuar kryesisht në monitorimin e mediave ruse.