Lufta në Ukrainë dhe si pasojë rritja e kostove të jetesës, ka zhytur 4 milionë fëmijë të tjerë në varfëri, në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Këtë e thotë një studim i fundit i organizatës së OKB-së për fëmijët, UNICEF. Sipas tij, lufta dhe inflacioni kanë kontribuar me një rritje prej 19 për qind të numrit të fëmijëve në varfëri që prej vitit 2021. Më të vegjlit, thotë raporti, po mbajnë barrën kryesore të krizës ekonomike të shkaktuar nga konflikti. Ndërsa përbëjnë vetëm 25 për qind të popullsisë, sipas UNICEF, llogaritet se 40 për qind e mbi 10 milionë njerëzve që u shtynë drejt varfërisë këtë vit, janë pikërisht fëmijë. Raporti, i cili mbulon 22 vende thotë se Rusia, me 2,8 milionë fëmijë të varfëruar rishtazi, përbën 3/4 e totalit të llogaritur nga agjencia e OKB-së. Kjo sipas saj, lidhet me numrin e madh të popullsisë së vendit dhe dëmet e mëdha të pësuara në ekonomi.

“Pasojat e konfliktit në Ukrainë janë jashtëzakonisht të rëndësishme në Rusi, pasi lufta po përkeqëson ndjeshëm qasjen ndaj një numri të caktuar produktesh bazë për shkak të inflacionit”, u shpreh Adeline Hazan, Presidente e UNICEF, Francë.

Ukraina sakaq, është shtëpia e gjysmë milionë fëmijëve të tjerë që jetojnë në varfëri, duke u pozicionuar në vendin e tyre. Më pasi renditet Rumania me 110 mijë fëmijë të varfëruar rishtazi. UNICEF i bën thirrje qeverive të ofrojnë urgjentisht mbështetje të fortë për familjet më vulnerabël me fëmijë. Organizata paralajmëron se rritja e varfërisë në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore mund të rrisë me 4500 vdekjet e fëmijëve para ditëlindjes së tyre të parë.