Kryeministri Edi Rama sugjeroi se universitetet në qytete të ndryshme të vendit duhet të specializohen në degë të caktuara, në mënyrë që të përmirësojnë rankimin e tyre në nivel ndërkombëtar. Në një takim me Rektorët e Universiteteve Publike dhe Jopublike, të mbajtur këtë të martë, Rama anashkaloi protestën e pedagogëve, të cilët kërkojnë rritje rroge me 50% në dy vite.

“Ne në sistemin tonë kemi shumë më tepër kapacitete se sa ka qenë e mundur të lexohet në sytë e opinionit publik, si rezultat i një periudhe shumë të gjatë amullije dhe prapambetjeje në trajtimin e burimeve njerëzore. Ne nuk kemi të ardhme tjetër përveç çeljes së dyerve të universiteteve europiane këtu në Tiranë, përmes universiteteve tona. Është absolutisht e dukshme që reformimi, si rezultat i ligjit të arsimit të lartë, po sjell impakt në metodat dhe ofrimin e mundësive të reja për studentët. Të gjitha këto marrë në relative në raport me startin në fillim të reformës, por jo me ku duhet të jemi. Në gjithçka jemi “dita me natën” nga ku jemi nisur dhe “nata me ditën” në raport me ku duhet të shkojmë”, tha Rama.

“Çështja që shtrohet sot është që, pavarësisht përparimit real, konkret, pikërisht pse raporti ynë me të ardhmen është ende shumë i zhdrejtë, renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale është e papranueshme. Por lajmi i mirë sipas nesh është që, është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet. Kemi disa projekte ku Universiteti i Tiranës është lider dhe njohja me disa universitete të tjera europiane, të rankuara shumë më lart, tregon se kapacitetet i kemi shumë më të mira. Prandaj, gjëja që kemi vendosur është që të merremi shumë seriozisht me këtë aspekt dhe t’i ndjekim një e nga një të gjitha kushtet që duhen përmbushur, për të pasur një rankim shumë më dinjitoz.

“Universiteti i Tiranës mund të rritet me shpejtësi në rankimin e vet, nëse ka brenda Mjekësinë. Tani këto janë dy universitete të ndara. Të diplomuarit tanë në Mjekësi gjejnë vende pune në çdo shtet të Europës, pa problem. Por ama për një gjë duhet të biem dakord, nuk mundet dot ne, një vend kaq i vogël, që të kemi në gjithë territorin e Shqipërisë universitete gjeneraliste, që i bëjnë të gjitha dhe që për shkak të faktit që bazohen te nevoja për financime, shtojnë ujë e shtojnë miell, duke shtuar faktikisht mediokritetin dhe duke i hequr vetes mundësinë që të jenë ekselenca në degë të caktuara. Ne po presim që këtë gjë universitetet ta bëjnë vetë, por nuk e bëjnë dot. Këtë duhet ta përballim, sepse kështu siç është, ky sistem nuk na çon larg”.