Komandanti i forcave ruse në Ukrainë pranoi për herë të parë se situata në qytetin jugor të Kherson është e vështirë dhe se banorët duhet të evakuohen menjëherë. Gjenerali Sergei Surovikin tha se trupat ukrainase po përdorin raketat HIMARS, për të goditur infrastrukturën e qytetit, mes të cilave edhe shtëpitë e godinat e banimit. Deklaratat, gjenerali rus, i bëri për televizionin shtetëror në Moskë.

“Ushtria ruse do të sigurojë evakuimin e sigurt të popullsisë së Kherson”, tha ai. Deklarata e rrallë për një ushtarak rus u mohua menjëherë nga zyrtari i rajonit të aneksuar pak javë më parë, Kirill Stremousov, i cili paralajmëroi banorët e Kherson se shumë shpejt, trupat ushtarake ukrainase, do të nisin atje një sulm. “Merrini seriozisht fjalët e mia. Po flas për një mundësi evakuimi, por së shpejti”, tha ai përmes një mesazhi, ku theksonte se banorët e zonave rreth lumit Dnipër ishin më të rrezikuarat.

Kherson ishte qyteti i parë i madh ukrainas që ra në duart e ushtrisë ruse, në ditët e para të luftës. Forcat ukrainase kanë rimarrë territoret pranë qytetit në javët e fundit, teksa presidenti Zelensky thotë se kanë arritur deri në 30 km në jug të lumit, duke kërcënuar trupat ruse atje. Po dje, Duma Ruse, dhoma e ulët e parlamentit të Moskës, diskutoi planet për transferimin sa më parë të banorëve të Kherson në Rusi. Atyre do t’i ofrohet një shtëpi, diku në Rusi, ndërsa qeveria do t’i sigurojë edhe një asistencë financiare dhe flitet për një popullsi prej gati 300 mijë banorë.