Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, caktoi masën e sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, për një sipërfaqe totale prej 6000 m², të ndodhura në zonën e Livadhit, Himarë në Qarkun Vlorë. Vlera e pasurisë të sekuestruar, sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën prej 1 800 000 euro.

Nga hetimi rezultoi se pasuria e regjistruar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë (ASHK), në nenin hipotekor 235, datë 01.09.2020, ZK.1952, Himarë, është regjistruar me dokumente të falsifikuara në emër të shtetasit K. Gj.

“Gjatë hetimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit, mbi bazën e akteve të administruara si dhe aktit të ekspertimit tekniko-grafik të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar e provuar se dokumentacioni i kësaj praktike që bën fjalë për pasuri të regjistruar në zonën e Livadhit Himarë, ka rezultuar i falsifikuar. Nga aktet hetimore, provohet se i dyshuari shtetasi K. Gj., banues në Himarë, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë, AMTP-në, formularin nr.6, si dhe gjithë praktikën e dalë nga Këshilli i Qarkut Vlorë, DAMT-ja. Shtetasi K. Gj., dokumentet e falsifikuara i ka paraqitur fillimisht pranë Bashkisë Himarë, Drejtorisë të Manaxhimit të Tokave Pyjeve dhe Kullotave ku ka kërkuar regjistrimin e ngastrës te quajtur “Apelistra”, me sipërfaqe 6000m2.”, thotë prokuroria.

“Mbi bazën e akteve të administruara deri më tani, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, është paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal shtrënguese, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për shtetasin K.Gj.”.