Pas dënimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar.

Urdhri i ekzekutimit të vendimeve mbërriti në policinë e Lezhës mesditën e të premtes dhe menjëherë policia është vënë në lëvizje për ekzekutimin e vendimeve.

I vetmi person që ndodhet tashmë në qeli është vetëm ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, i cili u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së premtes, ndërsa për personat e tjerë ende nuk ka asnjë gjurmë.

Prej dy ditësh policia vijon kontrollet për prangosjen e tyre por pa ja arritur qëllimit.

Në këto kushte ata pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë larguar jashtë territorit shqiptar.