Si mund të përfundojë globalizimi?

E thënë përmbledhtas, për disa kjo mund të ndodhë nga një shkëputje relativisht paqësore e ekonomive që deri më tani kanë qenë të lidhura fort së bashku. Prishja e këtyre lidhjeve ekonomike do të ishte shkaku kryesor i thellimit të mosmarrëveshjeve globale. Shoqëritë janë sprovuar dhe më parë nga ngjarje të tilla.

– Periudha e parë e globalizimit nisi në vitin 1914.

– Periudha e dytë filloi në fund të viteve 1940, por u zgjerua nga fundi i viteve 1970, pasi u ndërpre nga një periudhë e gjatë krize, për shkak të dy luftërave botërore. Situata u thellua dhe u përkeqësua nga i ashtuquajturi “Depresioni i madh” dhe proteksionizmi (politikë ekonomike e një shteti, që zbatohet sidomos duke vënë taksa të larta doganore për mallrat e huaja me qëllim që të mbrohet kapitali vendës).

Historia na mëson se periudhat e deglobalizimit lëvrijnë midis ekstremesh. Vitet 1914-1945 u shënuan nga shembja e rendit politik dhe ekonomik, të brendshëm dhe global. Revolucioni bolshevik i vitit 1917, që ishte pasojë e drejtpërdrejtë e Luftës së Parë Botërore, solli komunizmin në botë. Sipas shifrave zyrtare, komunizmi vrau rreth 100 milionë njerëz, më shumë se dy luftërat botërore. Kjo periudhë kaosi dhe fatkeqësie pati disa “rezultate”: i bëri perandoritë evropiane të paqëndrueshme; ndërtoi shtetet moderne dhe i bëri njerëzit pak më të vetëdijshëm për fatin e tyre të përbashkët. Megjithatë, në përgjithësi, ishte një epokë katastrofash.

Sa është e lidhur paqja me globalizimin?

Siç argumentoi së fundmi gazetari britanik John Plender, tregtia nuk siguron domosdoshmërish paqen. Lufta e Parë Botërore nisi në një kohë që tregtia midis vendeve kishte marrë hov. Prirja është më se shumti në drejtim të kundërt: nga paqja në tregti. Në një epokë bashkëpunimi midis fuqive të mëdha, tregtia ka gjasa të rritet. Ndërsa gjatë një konfliktit të hapur, tregtia bie dhe këtë po e shohim tani midis Rusisë dhe Perëndimit.

Luftërat botërore kanë treguar se as tregtia dhe as ndonjë faktor tjetër nuk solli paqen, madje të gjitha palët humbën çdo gjë. Në mënyrë të ngjashme, rusët nuk do të përfitojnë nga pushtimi i Ukrainës e as Kina nga pushtimi i Tajvanit. Mirëpo edhe pse këto teori janë vërtetuar, konfliktet vazhdojnë ende. Nën udhëheqjen e individëve të rrezikshëm dhe nën ndikimin e nacionalizmit apo ideologjive të tjera, njerëzimi ndodhet përballë marrëzive groteske dhe krimeve të tmerrshme.

Në çfarë faze jemi aktualisht?  
Sipas analizave, nuk ka gjasa të ndodhë sërish deglobalizimi i madh i shekullit të 20-të, në rastin më të keq, mund të përsëritet një situatë e ngjashme me Luftën e Ftohtë. Mirëpo, ka shumë të ngjarë që pasojat e një prishjeje mes fuqive të mëdha do të jenë edhe më të këqija në kohën tonë sesa atëherë. Një studim shqetësues i kohëve të fundit nga Universiteti Rutgers, argumenton se një luftë bërthamore në shkallë të plotë midis SHBA-së dhe Rusisë, mund të vrasë mbi 5 miliardë njerëz. Arsyeja tjetër pse pasojat mund të jenë katastrofike, është prishja e marrëdhënieve midis shteteve për çështjen e ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, sipas të gjitha ngjarjeve të para dhe të jetuara nga njerëzit, është provuar se janë konfliktet për pushtetin që kërcënojnë më shumë globalizimin. Duke kërkuar të rrisin sigurinë e tyre, fuqitë e mëdha i bëjnë rivalët e tyre më të pasigurt, duke krijuar një spirale të egër mosbesimi. Gjithsesi, ende jemi larg kësaj spiraleje që mund të formësojë fatin e ekonomisë botërore.

Burimi: Martin Wolf, Financial Times