Ministri rus i Mbrojtjes, Serghei Shoigu, ngriti akuza të rënda ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë të mërkurë. Ai tha se Amerika është duke përdorur situatën në Ukrainë për të dobësuar shtetet e tjera, duke përfshirë edhe Europën.

Shoigu foli edhe për armët bërthamore, duke u shprehur se Ukraina po tenton të krijojë një bombë të “pistë”, ndërsa shtoi se Kievi dëshiron të sigurojë armë bërthamore nga NATO. Deklaratat e Serghei Shoigu u bënë gjatë vizitës së tij në Bjellorusi.

Mes këtyre lajmeve që vetëm rrisin më shumë tensionet mes palëve, lajmi i mirë është angazhimi i Rusisë për të marrë pjesë në marrëveshjen për të lehtësuar eksportet e grurit nga Ukraina, pak ditë pasi vendosi ta pezullonte atë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte marrë garanci me shkrim nga Kievi që nuk do ta përdorte korridorin e grurit në Detin e zi për veprime ushtarake kundër Rusisë.