Kur qeveria i ka lënë edhe disa ditë afat vetes për të vendosur nëse fasha 800 kWh e energjisë elektrike do të hyjë në fuqi për muajin nëntor, importet e energjisë elektrike vijojnë të kushtojnë miliona euro.

Në 3 ankandet për furnizimin nga tregu për këtë muaj, KESH ka arritur një faturë totale prej 22.3 milionë eurosh. Kjo përbën një vlerë relativisht më të ulët se muajt e kaluar, për shkak se çmimi në bursa ka rënë ndjeshëm. Korporata Elektroenergjetike ka blerë me çmime nga 163 deri në 219 euro për megavat, teksa më herët gjatë vitit arriti të blinte edhe me mbi 500 euro për MWh.

Krahas çmimeve në bursa, qeveria ka deklaruar se do të analizojë si faktorë për vendosjen e fashës edhe konsumin dhe reshjet.Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku deklaroi këtë javë se energjia e shpenzuar nga familjet dhe bizneset u ul me 6.2%, por citoi se situata hidrike është jo e mirë.

Enti Rregullator i Energjisë mbetet në pritje të një kërkese për të pezulluar fashën. Mbledhja e radhës parashikohet ditën e hënë më 7 Nëntor, edhe pse në rend dite nuk ka një kërkesë të tillë.

Në rast të zbatimit të fashës, një faturë prej 11 mijë lekësh, do të rritej automatikisht në rreth 19 mijë lekë.