Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, është plagosur me thikë mëngjesin e të premtes. Lajmin e konfirmon për A2 CNN, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili është edhe drejtues politik i PS për qarkun e Fierit.

Kokoneshi ndodhet në këto momente në spitalin e Lushnjës. Sipas informacioneve paraprake, Kokoneshi është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë policia ka kapur autorin e dyshuar të plagosjes, 46-vjeçarin Orges Xhelili.

Divjakë / Informacion paraprak

Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.

Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.

Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.