Europol njofton se ka shkatërruar një superkartel që merrej me kontrabandën e lëndëve narkotike, kryesisht kokainës.

Deri në këto momente, raportohen se janë arrestuar 49 persona, si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, mes të cilëve dhe 6 drejtues të lartë të organizatës që fshiheshin në Dubai.

“Narkotrafikantët të konsideruar si objektiva me rëndësi të lartë nga Europol ishin bashkuar për të formuar një organizatë shumë të njohur kriminale që kontrollonte rreth 1/3 e tregut të kokainës në Europë”, shkruhet në njoftimin e agjencisë.

Midis 8-19 Nëntorit, Europol kreu bastisje të koordinuara në të gjithë Europën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke synuar si “qendrën e komandës” së organizatës edhe infrastrukturën logjistike të trafikut të drogës.

Arrestimet vijnë pas një pune të gjatë hetimore të zhvilluar paralelisht në Spanjë, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me mbështetjen e Europolit.