Kështu foli Portugalia. Ose të paktën 70% e lexuesve të “A Bola”, që kanë marrë pjesë në sondazhin për Cristiano Ronaldon. Sipas shumicës së tyre, numri 7 nuk duhet të luajë titullar për kombëtaren. Pyetja ishte kjo: “A e meriton CR7 të luajë nga minuta e parë?” Verdikt ishte befasues, vetëm 30% e përgjigjeve rezultuan pohuese.

Cristiano është ylli i Portugalisë, kapiteni, golashënuesi më i mirë me 118 gola, lojtari me më shumë paraqitje (194). Në Katar shënoi kundër Ganës, më pas luajti 82 minuta kundër Uruguajit dhe rreth një orë me Korenë e Jugut, por pa shkëlqim.

Më tej, në ndeshjen e fundit, duket se ai ka fyer edhe trajnerin Fernando Santos, fajtor sipas yllit portugez, se e ka zëvendësuar: Nga leximi i buzëve dulet se CR7 i tha trajnerit të vet: “Mezi pret të më zëvendësosh, e ke me nxitim këtë gjë. Bëj kujdes herë tjetër…”

Klima rreth Ronaldos, tashmë pa ekip, nuk është e qetë. Të gjitha këto fërkime dhe zhvillime për të ndodhin në prag të 1/8 finale kundër Zvicrës. Ronaldo, që mbush 38 vjeç në shkurt, luan Botërorin e fundit të karrierës. Rezultati më i mirë mbetet vendi i katërt në vitin 2006. Më 2010 doli në 1/8 finale, më 2014 u eliminua në grupe dhe më 2018 shkoi sërish deri në 1/8 finale, pasi fitoi “Euro 2016”.

Ka edhe më shumë. “A Bola” mblodhi disa të dhëna në lidhje me tri ndeshjet e para të CR7. Edhe pse Portugalia i mbylli grupet me statistika pozitive, sulmi i pestë më i mirë, e katërta në posedimin e topit, e pesta për driblimin dhe e shtata për gjuajtjet në portë; shifrat e Ronaldos nuk janë asgjë tjetër veçse: Një gol nga penalltia, asnjë asist, disa krosime, vetëm 50% driblime të suksesshme dhe mesatarisht vetëm 55% veprime të kryera.

Të dhënat e fundit kanë të bëjnë me 0.66% të goditjeve në portë për ndeshje. CR7 duket i shkëputur nga pjesa tjetër e ekipit, i “tërhequr zvarrë” nga një Bruno Fernandes i madh, autor i dy golave. Ronaldo po përjeton një moment të veçantë dhe është në Botërorin e fundit. Në historinë e futbollit portugez, askush nuk është si ai, por tani të dhënat fotografojnë tjetër gjë.