Situatë e tensionuar dhe me mundësi të përshkallëzimit në çdo moment parashikojnë analistë shqiptarë e serbë për veriun e Kosovës, pas zhvillimeve të djeshme në atë pjesë.

Madje paralajmërojnë se nëse zgjedhjet mbahen, mund të ketë përleshje, viktima, madje edhe luftë.

“Është situatë e tensionuar dhe që në çdo moment mund të eskalojë, sidomos nëse provohet të mbahen zgjedhjet në komunat veriore, ku bandat e presidentit Vuçiç do të përpiqen që të mos lejojnë një gjë të tillë. Unë mendoj se nuk është e udhës që të mbahen këto zgjedhje derisa nuk ka një marrëveshje politike. Më lehtë është të caktohet një administrator të përkohshëm për secilën komunë, qoftë edhe shqiptar, por që ka guxim, edhe më lehtë është të mbrohet zyra e tij nga ana e forcave speciale të Policisë së Kosovës, sesa të ekzekutohen zgjedhjet në komunat me shumicë serbe, me ç’rast do të ishte vetvetiu një referendum për Vuçiçin dhe serbët në veri, që do të nënkuptonte se të gjithë serbët janë kundër pushtetit të Albin Kurtit. Natyrisht, në një ballafaqim të tillë që do të ishte sfidë për të dyja pushtetet, Beogradit dhe Prishtinës, ku tregohet se kush është më i zoti, mund të ketë viktima, përleshje”, tha Nexhmedin Spahiu, analist politik.

“Situata nuk është e favorshme dhe kemi tensione të larta. Jemi në prag të një situate me mundësi të përshkallëzimit dhe pasojave shumë serioze. Nëse dikush dërgon forca në veri, ne do të kemi luftë këtu. Në baza ditore jam duke parë njerëz të armatosur në veri nga të dyja anët, edhe në Lagjen e Boshnjakëve ke shqiptarë të armatosur. E kuptueshme, Vuçiç edhe Kurti i kanë armatosur. Nuk ekzistojnë kushtet për zgjedhje. Nëse organizohen zgjedhjet me forcë në veri, përgjegjës për çdo viktimë do të jetë Kurti dhe Vuçiç. Së bashku janë duke punuar në destabilizimin e shtetit të Kosovës”, tha Branimir Kërstiq, analist në Kosovë.