Shtetasi me iniciale E. D., i dyshuar si një nga autorët e masakrës së Velipojës me 4 të vrarë në vitin 2021, është arrestuar në Itali.

Policia ka bërë të ditur se arrestimi ka ndodhur në qytetin e Riminit. “Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.

Policia e Riminit, bazuar në këto informacione, organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi shtetasin e kërkuar ndërkombëtarisht, autor të dyshuar për vrasje.

Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë”.

Mësohet se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas”.

Më 27 qershor të vitit 2021, plazhi i Velipojës u trondit nga një ngjarje e rëndë. Katër persona mbetën të vrarë, ndërsa dy të tjerë u plagosën pas një konflikti me armë përpara hotel Gocajt. 

“Shkak i konfliktit me armë ishte ndarja e pronësisë mbi sipërfaqet me rërë ku vendosen shezllonët”   deklaroi drejtori i policisë së Shkodrës në atë kohë, Niko Brahimaj. Mes viktimave janë dy vëllezërit Gocaj, babai i Arjan Verracakut i vrarë në 2018 dhe një 20-vjeçar.