E konsideruar gjerësisht si perla fshehur e turizmit europian, Shqipëria po zbulohet gradualisht si një destinacion edhe nga nomadët digjitalë. Zhvillimi i teknologjisë po i lejon gjithmonë e më shumë individë që punojnë nga distanca, të realizojnë ëndrrat e tyre për të vizituar botën.

I tillë është edhe rasti i britanikut Mark Carson që prej pak javësh po jeton në Shkodër, pasi e zbuloi atë duke lexuar në blogje.

Jam këtu prej gati një muaji dhe kam edhe një javë të mbetur. E zbulova Shqipërinë duke lexuar për turizmin në Europë dhe kërkova për perlat e fshehura. Besoj kjo ishte fjala kyçe, sepse Shqipëria është një perlë e fshehur për momentin. Veçanërisht riviera shqiptare, që të lë pa frymë. Mua më pëlqen të bëj foto peizazhesh, hiking, dhe të kesh këto parqe natyrore kaq pranë, për mua ka qenë perfekte, sepse në fundjava mund të shkoj atje. Më ka pëlqyer kultura vendase, ushqimi ka qenë i pabesueshëm”, tha Mark Carson për A2 CNN.

Ndërsa estonezja Avely Pütsep, rrëfen eksperiencën e saj në jug të vendit.

Në fillim nuk dija shumë për Shqipërinë. Ne po e mendonim prej kohësh si një destinacion, por pastaj i dashuri im më pyeti nëse do të shkojmë atje. Dhe unë thashë: patjetër. Ne ishim këtu për pak më shumë se dy muaj. Një muaj në Vlorë, pastaj një muaj në Sarandë dhe ndërmjet tyre, një javë në Ksamil dhe pafund udhëtime në Jug”, thotë estonezja.

Në një vend si Shqipëria, ku i gjithë zhvillimi është përqendruar në kryeqytet, sigurisht që krijohen edhe sfida të vogla.

“Është e vështirë të gjesh kafene ku të punosh. Gjeta disa, por në vendet e tjera europiane ka kaq shumë zgjedhje. Thjesht kafene dhe restorante me lidhje të mirë interneti, që mund të shkosh dhe të punosh nga atje”, tha Avely.

Ndërsa Mark shton se: “Nëse do doja të rrija më gjatë në Shqipëri, do të shkoja në një nga qytetet e mëdha, pasi heq nevojën për të lëvizur vazhdimisht për të gjetur disa nga shërbimet që ofrohen në vendlindje”.

Në përpjekje për të tërhequr më shumë të huaj si Mark dhe Avely, qeveria po ofron lehtësi si vizat elektronike për nomadët dhe mundësinë për të mos paguar tatim mbi të ardhurat për qëndrim deri në 12 muaj.

“Është një faktor i madh. Akoma jo për mua, sepse isha e punësuar në një kompani estoneze dhe paguaja taksat atje. Por nëse në të ardhmen do të kisha një lloj tjetër kontrate, apo do të isha freelance, mendoj se do të ishte një faktor i madh për t’u konsideruar”, thotë Avely.

Me inflacionin në rritje, një nga arsyet pse e lashë Britaninë është se rroga nuk zgjaste aq shumë sa dikur. Ndaj nëse do kishte më pak taksa nëse rri diku, mendoj se do të ishte një faktor i rëndësishëm për të afruar më shumë nomadë digjitalë në Shqipëri”, u shpreh Mark.

Edhe pse industria e teknologjisë së informacionit po përballet me disa shkurtime punësh kohët e fundit, nomadët besojnë se puna në distancë do të vazhdojë. Kjo sepse i lejon kompanive të punësojnë më shumë talente, nga më shumë vende të botës, duke krijuar një ekip sa më të mirë, edhe pse nuk kanë një zyrë, apo nuk njohin njëri-tjetrin.

“Gjatë pandemisë vendosa të ndryshoja karrierë dhe të nisja punë në industrinë e teknologjisë, që e lejon të punosh nga distanca.”

Të kesh një zyrë është pa sens. Mendoj se kam 5 kolegë dhe nuk kam takuar kurrë asnjë prej tyre.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të eksploroj, të përjetoj kultura të tjera, edhe kultura që nuk i kam dëgjuar më parë. Mendoj se puna nga distanca e ka hapur këtë mundësi për mua që të provoj shtete që nuk i kisha menduar më parë për të kaluar pushimet”, thotë Mark.

“Është e mrekullueshme. Qartësisht nuk vjen pa vështirësitë e saj, por anët pozitive e tejkalojnë ndjeshëm këtë për mua. Një nga gjërat që më pëlqen nga të qenit një nomade digjitale, është mundësia për të zgjedhur se kur shkon në një vend, sepse je më pak i kushtëzuar nga koha. Pra mund të shkosh diku kur nuk është sezoni turistik, por është ngrohtë dhe jo kur është piku, vapë dhe plot me njerëz”, shprehet Avely.

Nisur nga eksperienca e tyre, ata besojnë se tërheqja e Shqipërisë, do të bëhet më e fortë në të ardhmen.

“Mendoj se në vitin e ardhshëm, do të ketë shumë fluks në Shqipëri. Sepse nomadët e duan bukurinë, duan të ndihen si me pushime dhe duan të kursejnë ndërkohë, apo ta bëjnë rrogën të zgjasë më shumë”, tha britaniku.

“Shqipëria është ndoshta vendi i parë që po mendoj të rikthehem. Sepse e dashurova Sarandën dhe gjeta një komunitet të huajsh të mrekullueshëm. Është e pabesueshme. Unë po ia rekomandoj miqve të mi. Një shoqe, që është gjithashtu nomade digjitale, erdhi ndërsa isha këtu”, tha Avely për A2 CNN.

Një nga aspektet që nomadët vlerësojnë më shumë nga stili i tyre i jetesës, është se mund të zgjedhin të vizitojnë vende si Shqipëria, kur është ngrohtë, por pa arritur kulmi i sezonit turistik, duke iu shmangur vapës dhe fluksit.