Shkencëtarët në Kaliforni mund të kenë zbuluar një burim të pashtershëm energjie të pastër, duke rikrijuar procesin e fuzionit bërthamor që fuqizon diellin.

Eksperimenti u bë në gusht, por u raportua për herë të parë këtë muaj. Teste të ngjashme janë bërë edhe më parë, por ky është i pari që gjeneroi më shumë energji nga sa u përdor për të krijuar eksperimentin. Kjo do të thotë se shkencëtarët mund të “vjelin” fuzion bërthamor si burim energjie.

Testi i gushtit, ku u përdor lazeri më i madh në botë, në fakt gjeneroi më shumë energji nga sa parashikuan shkencëtarët dhe dëmtuan disa prej pajisjeve.

Ky eksperiment mund të përfaqësojë tashmë një moment historik në përpjekjet e njerëzimit për të hequr dorë nga karburantet si nafta dhe qymyri dhe për t’u drejtuar nga burimet e energjisë së pastër që nuk e ndotin ajrin.

Qëllimi final është që vite më vonë të gjenerojmë fuqi njëlloj siç e gjeneron nxehtësinë dielli duke i shtyrë atomet e hidrogjenit aq afër sa ata mund të kombinohen në helium dhe ky i fundit të lëshojë “stuhi” energjie.

Një sasi jo shumë e madhe e kësaj substance mund të furnizojë me energji elektrike një shtëpi me madhësi mesatare për qindra vite, pa emetuar karbon.