Belgjika është në kërkim të një trajneri të ri për ekipin kombëtar të futbollit, pas disfatës së fundit në Botërorin e “Katar 2022” ku nuk mundi të dilte nga grupi, gjë që çoi dhe në largimin e teknikut Roberto Martinez.

Por mënyra se si Federata Belge po kërkon për një zëvendësues në stolin e kombëtares është tepër e veçantë, por duhet thënë dhe transparente. Në faqen zyrtare është postuar një njoftim ku shpallet vendi vakant i punës me kriteret e ngjitura përkrah tij.

“Kërkohet një trajner ambicioz, i vendosur, me eksperiencë botërore në nivelet më të larta. Kërkojmë një fitues serial, me eksperiencë në menaxhimin e lojtarëve më të mirë në botë”, shkruhet mes të tjerash në njoftim.

Të gjithë personat që dëshirojnë mund të aplikojnë për pozicionin deri në datën 10 janar, kur është dhe afati i fundit sipas Federatës Belge.