Policia e Pogradecit njofton se ka goditur një tjetër rast të përshtatjes së lokaleve për shpërndarjen e drogave të forta dhe për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. 

Në kuadër të operacioni “Çërrava”, u proceduan penalisht 9 persona, si dhe u sekuestruan 180 gr kokainë, 1 peshore elektronike, letra bixhozi, celularë dhe një sasi parash.

Në bazë të informacioneve shtetasit E. K. dhe M. A. kishin marrë në përdorim një lokal pa dokumentacionin përkatës, të cilin e kishin vënë në dispozicion për përdorim droge dhe për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 36 vjeç si dhe u shpall në kërkim M. A., 31 vjeç, banues në fshatin Çërravë. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë personat e tjerë që u gjetën në ambientet e lokalit në momentin e operacionit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.