Emiljano Shullazi do të vijojë të mbetet në qelitë e regjimit 41-biss. Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot pretendimet e tij për t’u liruar nga kjo qeli, ku sipas afatit duhet të qëndrojë deri në gusht të këtij viti.

 Shullazi njihet nga drejtësia shqiptare si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale dhe akuzohet për disa vepra penale:

“Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”,  dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.

Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.