Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka vendosur të përjashtojë nga radhët e policisë inspektorin G.N. në Cërrik, i cili gjatë një operacioni, dyshohet se vodhi 30 mijë euro në shtëpinë e një të dyshuari ku po kryhej kontroll.

Efektivi i policisë akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ndërkohë që arrestimi i tij erdhi pas denoncimit të bërë nga shtetasi, në banesën e të cilit u krye kontroll.

Gjatë kontrollit efektivit G.N. iu gjet dhe sasia e parave për të cilat akuzohet se i ka vjedhur.

Gjithashtu, drejtori Rrumbullako vendosi të pezullojë dhe dy policë të patrullës së përgjithshme në Elbasan.

Sipas raportimeve, efektivi E.H. është konfliktuar për motive të dobëta, me kolegun R. M., 23 vjeç, gjatë kohës kur të dy ishin jashtë orarit të shërbimit.

Gjatë konfliktit, shtetasi R. M., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, shtetasin E. H., i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.