Partia Socialiste synon të fitojë të gjitha bashkitë e vendit në zgjedhjet vendore të 14 majit, por sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ka një minimum bashkish që do t’i marrë patjetër.

“Partia Socialiste nuk zbret nën 40 bashki. Këto janë llogaritë elektorale në Shqipëri. Për aq kohë sa nuk ka alternativë të besueshme në krahun tjetër. Nga ana tjetër, kemi po të njëjtët njerëz, aq më tepër që dihen tani dy figurat kryesore që kanë marrë lidershipin. Apo opozita tjetër, formale…”, tha Gjinkuri.

I pyetur se kur do të zyrtarizohen kandidatët e PS-së për zgjedhjet vendore, Gjiknuri shtoi se shumë shpejt kryesia do të miratojë një udhëzim për zgjedhjen e tyre, duke vijuar konsultimet me strukturat dhe jashtë strukturave.

Ai kritikoi procesin e zgjedhjeve të brendshme të zhvilluara në Partinë Demokratike. “Ato nuk quhen primare, në konceptin që njeh perëndimi apo SHBA-ja. Sepse primaret janë gara që nuk administrohen nga partitë, por administrata zgjedhore. Nëse bëhen zgjedhje brenda partisë, nuk kemi të bëjmë me primare, por thjesht që partia përcakton një kandidat që preferon. Problemi është se ty të duhet një kandidat që del përtej grupimit partiak. Për ne është e rëndësishme që kandidatët të jenë të pëlqyeshëm nga qytetarët, jo vetëm nga “barku partiak”. Po të shikoni primaret, aty votuan anëtarët e PD-së. Problemi është që nuk të duhen 1000 vota, por 15-20 mijë vota. Duhen 200-300 mijë vota në qytete si Tirana”.  

Gjiknuri kujtoi se edhe në PS janë zhvilluar zgjedhje të brendshme. “Edhe ne kemi pasur primare në vitin 2007 dhe shpeshherë nuk fituam. Ju e dini shumë mirë çfarë gare u bë në PD, sepse nuk ka lista të sakta. Primaret që bëri Foltorja janë si zgjedhjet e 1992-shit. Në këtë pikëpamje, PS-ja do t’i qëndrojë strikt, duke e ndarë në 3 shtylla: pëlqyeshmëria e partisë, e publikut dhe garancia që jep kandidati”.