Është si një deja vu, sërish. Mbrëmjen e së enjtes kandidati republikan, Kevin McCarthy, humbi votimin e 11-të për t’u zgjedhur kryetar i dhomës së Ulët, duke e bërë këtë garën më të gjatë në më shumë se 160 vite.

 “Ne po zhvillojmë diskutime dhe mendoj se të gjithë e duan një zgjidhje. E mirë është t’i zgjidhim gjërat që prej fillimit në mënyrë që Kongresi të jetë produktiv për amerikanët”, deklaroi ai.

 Ligjvënësi Matt Gaetz i Floridas, është mes 20 republikanëve që refuzojnë të mbështesin Mccarthy-n, duke i mohuar atij votat që i duhen për të marrë detyrën.

 “Kam dëgjuar nga kolegët e mi mbi gjithë punën e rëndësishme që duhet të bëjmë. Kam frikë se nëse do të lejojmë zgjedhjen e McCarthy, nuk do të arrijmë gjë”, deklaroi Gaetz.

Republikanët morën kontrollin e Dhomës në zgjedhjet e mesit të mandatit, por ngërçi në zgjedhjen e kryetarit, ka pamundësuar betimin e ligjvënësve dhe miratimin e projektligjeve. Një situatë e tillë nuk kishte ndodhur që prej vitit 1860.

Një grup prej 20 republikanësh të linjës së ashpër, po refuzojnë të mbështesin McCarthy-n, të cilin nuk e shohin mjaftueshëm konservator. Ky i fundi ka pranuar të bëjë lëshime lidhur me disa kërkesa të tyre që fillimisht i kishte refuzuar, çka do ta dobësonte pozitën e tij si kryetar.