Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”, dhënë në mungesë për pesë të arrestuarit nga operacioni i koduar policor “Komplot”.

Vazhdimi i masës “arrest me burg” është caktuar për Bashkim Haxhinë, Genti Ndrejakun, Marsel Deçkën, Endrit Sinanin dhe Julian Pjetrin.

Kujtojmë se më shumë se tre vite nga atentati ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ku u plagos prokurori dhe një person tjetër, si edhe u vra drejtuesi i mjetit, SPAK identifikoi 9 persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Me urdhër të SPAK, 5 prej tyre u arrestuan, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes të cilëve, personazhe të njohur të botës së krimit.

Operacioni i koduar “Komplot”, ku u përfshinë edhe efektivë të FNSH dhe repartit RENEA u shtri njëherazi në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë.

Sipas SPAK, të dyshuarit në role të ndryshme, si porositës, ekzekutorë, apo ndihmës, kanë bashkëpunuar para dhe pas ngjarjes së 1 nëntorit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, ku u plagos prokurori Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut, person me precendentë penale dhe mbeti i vrarë Andi Maloku.