Për të pestën ditë me radhë, vendi po përballet me shtrëngata shiu të herë pas hershme dhe ere të fortë. Në Shkodër dhe Lezhë, dy qarqet më të prekur, sipërfaqja e tokës së përmbytur përllogaritet në gati 2 mijë hektarë. Reshjet intensive kanë shkaktuar shkarjet dherash dhe probleme me energjinë elektrike në Gjirokastër, Elbasan dhe Shkodër.

Ndërkohë në kaskadën e Drinit dhe digën Ura e Fanit vijon shkarkimi i ujit për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.

Në qarkun e Kukësit në lartësitë mbi 700 metër vendin e reshjeve të shiut e ka zënë dëbora e cila ka një trashësi deri në 15 centimetër. Rrugët kryesore dhe ato rurale deri në këto momente janë të kalueshme dhe sipas drejtuesve të automjeteve nuk raportohen probleme apo bllokime.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ndërkohë kërkon nga drejtuesit e mjeteve përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve për shkak të pranisë të dëborës në akset rrugore në veri të vendit.