Protestat kanë shpërthyer në shumë qytete të SHBA-së pas publikimit të videove të vrasjes së Tire Nichols nga pesë oficerë policie në Memphis.

Në Nju Jork, dhjetëra njerëz u mblodhën në Times Square dhe sipas raportimeve të mediave, pati përledhje mes policisë dhe protestuesve, të cilat përfunduan me disa arrestime.

Një video që është bërë virale në mediat sociale tregon një protestues duke u ngjitur në kapakun e një makine policie dhe duke shkelmuar xhamin e përparmë përpara se oficerët të ndërhynin.

Në Memphis, protestuesit bllokuan urën Ndërshtetërore 55 që kalon lumin Misisipi dhe të çon në Arkansas.

Në Uashington, shumë protestues u mblodhën në Lafayette Park, pranë Black Lives Matter Plaza dhe në K Street, ndërsa në Boston ata marshuan përgjatë rrugës Tremont, duke krijuar probleme për trafikun e qytetit. Protestat raportohen gjithashtu në Sacramento, San Francisko, Atlanta, Asheville, Filadelfia, Providence dhe Dallas.

Autoritetet e Memphisit kanë publikuar videon që tregon arrestimin e 29-vjeçarit afro-amerikan Tire Nichols pas një kontrolli në rrugë dhe përplasjes së dhunshme që çoi në vdekjen e tij. I riu vdiq tri ditë më vonë nga pasojat e rrahjeve. Pesë ish-oficerët po përballen me akuza për vrasje të shkallës së dytë dhe akuza të tjera, duke përfshirë sulmin dhe rrëmbimin. Pas publikimit të videos, protestat shpërthyen në shumë qytete të SHBA.