Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, prezantoi edhe paketën e kritereve dhe procedurave të reja që duhen plotësuar për kualifikimin 20-vjeçar të mësuesve, të cilët kërkojnë të marrin kategorinë e parë “Mësues Mjeshtër”.

“Sot jemi këtu për të prezantuar kriteret dhe procedurat për kualifikimin 20-vjeçar në të cilin ne parashikojmë që të mos ketë një provim si ai tradicionali që bëhet dhe për kualifikimin 5-vjeçar apo 10-vjeçar.

Por të jetë zyra vendore arsimore që e administron këtë proces dhe mësuesi apo kandidati për të marrë kualifikimin 20-vjeçar të japë një orë mësimi të hapur në prezencën e përfaqësuesve të rrjetit profesional, të drejtuesve të shkollës, përfaqësues nga këshilli i prindërve, ekipi lëndor dhe detaje të tjera që unë nuk po zgjatem tani.

I falënderoj shumë për bashkëpunimin të gjithë ekspertët e ASCAP që kanë përgatitur paketën dhe ne kemi marrë vendimin me anë të udhëzimit për të bërë ndryshimet e duhura.

Kështu që unë ia kaloj menjëherë fjalën kolegëve të ASCAP që të bëjnë një prezantim të qartë. Dua ta theksoj edhe një herë që është fjala për të lehtësuar mësuesin, por jo për të dëmtuar cilësinë, jo për të cenuar cilësinë.

Por përkundrazi për ta ngritur mësuesin në një nivel të ri. Ne kemi plotësisht besim tek mësuesit tanë që dhe këtë procedurë të re, këtë mënyrë të re do ta vlerësojnë siç duhet dhe do të përfaqësohen, do të prezantohen me dinjitet.”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi