Numri i viktimave nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi dhe Siri ka kaluar 11 mijë. Shifrat zyrtare të autoriteteve të të dyja vendeve tregojnë se saktësisht deri tani janë konfirmuar 11 104 persona që kanë ndërruar jetë.

Në Turqi, numri i viktimave është rritur në mbi 8500, ndërsa 50 mijë të tjerë raportohet të kenë mbetur të plagosur. Shifrat i konfirmoi Presidenti Recep Tayyip Erdogan të mërkurën, pasi vizitoi zonat e prekura.

Në Siri, të paktën 2500 persona kanë vdekur si pasojë e tërmeteve. Shifrat konfirmohen nga autoritetet zyrtare por edhe nga rebelët që kontrollojnë një pjesë të territorit atje.

Të gjitha agjencitë lokale dhe ndërkombëtare që po punojnë në terren dhe po monitorojnë situatën raportojnë se shifrat do të rritet edhe më tepër. Edhe pse shumë njerëz kanë mbetur ende nën gërmadha, shpresa për t’i nxjerrë të gjallë shuhet me kalimin e orëve, edhe për shkak të kushteve të rënda të motit, me temperaturat që janë tepër të ulëta.

Goditja e parë e madhe u regjistrua të hënën, në orët e para të mëngjesit, me mganitudë 7,8. Disa orë më vonë u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 7,7, ndërsa pasgoditjet deri tani numërohen mbi 100, disa me magnitudë mbi 5.

Sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan, ky është tërmeti më i rëndë që ka goditur vendin në më shumë se 100 vite.