Në raportimin e tij të sotëm për çështjen e ish-agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal, gazeta “Washington Post” jep detaje edhe për degën shqiptare të akuzave për korrupsion që përfshijnë ish-zyrtarin.

Prestigjiozja amerikane, në fillim të trajtimit për Shqipërinë në një nënkapitull të dedikuar, shton se sipas aktakuzës “McGonigal ishte i përfshirë deri në grykë në marrëdhënieve sekrete me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe një ish-operativ i shërbimeve sekrete shqiptare. Puna e McGonigal në Shqipëri ka filluar kur ai ishte ende agjent i FBI-së, diçka që përbën shqetësim të madh për kolegët e tij”.   

Pas një përshkrimi të rolit kyç të Shqipërisë për administratën amerikane, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, Washington Post shtoi se për shkak të angazhimit të tyre për të inkurajuar reforma në sistemin gjyqësor shqiptar, “diploma të nivelit të lartë amerikan dhe zyrtarë të sigurisë bëjnë udhëtime të shpeshta në Shqipëri dhe ndërveprimet e McGonigal me kryeministrin do të ishin parë në vend si rutinë dhe jo befasuese”, siç pohon edhe eksperti Jasmin Mujanoviç.

Sipas tij, “akuza se McGonigal po merrte para nga një aleat i Ramës, ndërsa takohej me kryeministrin dhe potencialisht po vepronte për të ndihmuar në avancimin e interesave të biznesit të njerëzve që e paguanin, mund të pengojë seriozisht përpjekjet e reformës së udhëhequr nga SHBA-ja në Shqipëri”.

“Ajo që shpesh ka qenë zhgënjyese për njerëzit në rajon është se, shpesh, kur shfaqen këta zyrtarë të lartë perëndimorë, në vend që të përdorin pozicionet e tyre për të ngritur lart luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duket sikur zbresin në nivelin tonë dhe bëhen pjesë e lojës”, shton eksperti për çështjen në fjalë.

Raportimi, që si objekt ka mundësinë që edhe agjentë të tjerë të FBI-së mund të kenë kryer akte korruptive të ngjashme, flet edhe për aktorë të ndryshëm të cilët u përfshinë në interesat e McGonigal në Shqipëri.

“Në shkurt 2019 – pesë muaj pasi McGonigal u tërhoq nga FBI – ai dhe Neza blenë secili 25 për qind të aksioneve në një firmë hetimore me bazë në vend, e regjistruar si “Law Office & Investigation. Një partner tjetër në këtë sipërmarrje ishte Mark Rossini, një ish-agjent i FBI-së, karriera e të cilit kishte përfunduar pasi ai u deklarua fajtor për një akuzë aksesi të paligjshëm në dosjet e FBI-së në vitin 2007, në emër të së dashurës së tij aktore”.

Akuza kryesore për të cilën po hetohet në SHBA Charles McGonigal, që mbante deri në 2018 një vend kyç në FBI, u arrestua për lidhje me oligarkë rusë, në veçanti Oleg Deripaska, një nga njerëzit me të afër me presidentin rus, Vladimir Putin, që ka ngritur dyshime mbi sigurinë kombëtare amerikane.