Ushtria amerikane ka deklaruar se ka gjetur në Oqeanin Atlantik sensorët e balonës së dyshuar spiune kineze, e cila u rrëzua nga SHBA-ja pasi kaloi mbi territorin e saj.

Komanda Veriore e SHBA-së tha se ekipet e kërkimit gjetën “mbeturina të rëndësishme nga vendi, duke përfshirë të gjithë sensorët prioritarë dhe pjesët elektronike të identifikuara”.

FBI-ja po shqyrton objektet, për të cilat SHBA-ja thotë se janë përdorur për të spiunuar në vende të ndjeshme ushtarake.

Sipas tyre, balona në lartësi të madhe e kishte origjinën në Kinë dhe përdorej për vëzhgim, por Kina tha se balona e rrëzuar nga SHBA-ja ishte një aeroplan pa pilot i krijuar për kërkime meteorologjike që ishte zhvendosur nga kursi për shkak të erërave të forta.

Që nga incidenti i parë më 4 shkurt, avionët luftarakë amerikanë kanë rrëzuar edhe tri objekte të tjera në lartësi të madhe; mbi Alaskë, në territorin Yukon të Kanadasë dhe liqenin Huron në kufirin SHBA-Kanada.

“Seksione të mëdha të strukturës” u gjetën gjithashtu të hënën në brigjet e Karolinës së Jugut, thonë zyrtarët ushtarakë.